DERVINA.COM - Arkivi i lajmeve Arkivi i lajmeve
Për vitet 2006,2007 dhe 2013

^ Kategoritë
Kërko në lajme: 
Shpalos kategorinë:
 Lajmet kryesore
 Lajmet në gjuhen angleze
 Opinion
 Intervista
 Sport
 Kultura
 Histori
 Diaspora
 Tech-Info

Madhësia e shkronjave
Dukja Madhësia (piksel)
AaBbCc 11 piksel
AaBbCc 12 piksel
AaBbCc 13 piksel
AaBbCc 14 piksel

Vizitorët online në arkiv: vizitorë
» KENGE KRESHNIKE: MARTESA E HALILIT
Postuar më datën: 2008-11-22 08:43:04 nga admin4 :: Kategoria: Kultura


MARTESA E HALILIT

Lum për tý, o i lumi Zot!
Fort po shndritë njaj diell e pak po xe’!
Ç’p’e merr frima rrapin e Jutbinës!
Borë e madhe, qi ká rá,
5 Rândojnë ahat për me u thye;
Ki’n çetinat vetëm kreshtat:
Ushtojnë lugjet prej ortiqesh, 1
Prej ortiqesh, kah po bijnë ndër gropa.
Janë rá vashat me gjâ n’lumë,
10 Kan gjetë lumën tânë ngri akull;
Kan nisë vashat me lypë krojet,
Kan gjetë krojet tânë ngri hej,
Ça kan qitun e kan thânë?
,,Kúr t’bâjë Zoti me e lirue,
15 ,,Gjâja e gjallë, druem, ká mbarue!
,, Po, Zot, ç’janë njata shtegtarë,
,,Veshë e mbathë porsi zotnij?
,,Mos janë nisë trimat për me çetue?
,,Qi ata qafat kurr s’und i kalojnë!”
20 Ka qitë Jera edhe u ká thânë:
- O nuk janë, jo krushq dasmorë,
- Se ata paresh 2 rane n’lumë;
- Ka dalë Muji me kreshnikë:
- A thue ndeshet m’ndo’i gjâ malit! -
25 T’kjoshim falë, o i Madhi Zot,
Sa shpejt diellin m’a xû rêja!
Shpejt m’a êndi ‘i pëlhurë t’gjânë e t’gjatë!
E i ká veshun majet rreth e rrokull,
Qi kúr janë kapë trimat tu lumi,
30 Kaq përzí i ká frima plajm 3 e rê,
Askurrnjâ shoshojnë trimat s’p’e njofin.
I’n ngrî trimat me sharrue;
Por n’breg t’lumit – kulla e Mujit.
T’tânë për darkë Muji i ka ndalë.
35 Kqyr shka bâni Gjeto Basho Muji!
E ka vû nji barrë drû t’vogël n’zjarm,
Treqind vetë p’r ‘i herë m’u xé,
At-herë trimi u ká avitë bucelat,
At-herë trimi u ká avitë fuçijat;
40 - I’n bucelat plot rakí,
- I’n fuçijat plot me venë,
Sa shpejt frima burrave u ká ardhë!
Sa shpejt gjaku trimave po u xehet!
Kan marrë llafin e po llafiten;
45 Kan marrë gazin e po gazmojnë;
Kan nisë trimat Mujin p’e pëvetin:
,,N’votër t’ânde kém qillue,
,,Mos na ki rândë për nji fjalë!
,,Pásh nji Zot, Mujë, qi t’ká dhânë,
50 ,,Qysh Halilin s’e martove?!
,,Janë martue krejt moca 2 e tij;
,,Djelm e çika Zotyn u ká falë;
,,Djelt e tyne n’lojë t’tânë janë dalë.
,,A t’u dhimtën paret për me i dhânë?
55 ,,A t’u dhimten darsmat për me i bâ?
,,Tut’na djalin dikush po na rrê;
,,Shpesh e shpesh po bje’ n’Kotorre t’reja,
,,Rob të gjallë djalin p’e xânë.
,,Le’ konakun, Mujë, qi s’po t’a fikin,
60 ,,Mâ zí fisin Mujë, po na koritin.”
As bé m’Zotin trimi nuk ká bâ;
,,Faqe-bardhë, more shokë, ju kjoshi,
,,Se mirë hallin po m’a dik’i, 3 burra!
,,Manà paret s’m’u kan dhimët me i dhânun!
65 ,,Manà, darsmat s’m’u kan dhimët me i bâmun!
,,Ju t’pa-vllazën, shokë, s’kini qillue:
,,Kuj po i dhimen darsmat për vllá t’vet?
,,Ky edhe s’âsht, or burra, cub flligshtísh,
,,Mirë e njihni, se â dají trimnísh.
70 ,,Qi për n’dashtë me m’prû marren te shpija,
,,He ktij Zoti i shkimët hisen e diellit!
,,E n’pastë menden me na koritë fisin,
,,Gjujma, rê, qetash me kokërr rrfeje!
,,Zirma, tokë, përjashta n’natë të vorrit!
75 ,,At bé m’Zotin djali por ká bâ:
,, - Kah kam vllá e kah kam motër,
,, - Deksha para, n’u martosha!
,, - Se gjith grát e krahinës, ku janë,
,, - Se gjith vashat e Jutbinës, ku janë,
80 ,, - Bash si motra qi po m’duken.
,, - Dheu m’ka mlue, e fat s’i qita vedit,
,, - Po s’e mora Tanushën e krajlit. –
,, - E un Tanushën vetë e ko’ pá.
,, - Kúr kém pasë besë me krajli:
85 ,, - Gjâ mâ t’mirë s’shef njeri nën ket diell!
,, - Vetulla e saj ndrejt si fiskaja;
,, - Shteku i ballit, si shteku i malit,
,, - Kur merr hâna me pranue; 4
,, - Syni i saj, si kokrra e qershis;
90 ,, - E ka qërpikun, si krahi i dallndyshës;
,, - Ftyra e saj, si kuqet molla n’degë;
,, - Hunda ndrejt, si kalêmi i Tushës;
,, - Goja e vogël, si lula qi shpërthen;
,, - Dhâmët e bardhë, si gurzit e lumit,
95 ,, - Fill mbas shiut kúr po i shndritë dielli,
,, - Qafa e saj, si qafa e pllumbit:
,, - Shtati i saj, si ‘i shtat çetinet;
,, - Misht e dorës, porsi rrêmi i shemshirit.
At-herë djali mâ s’â pritë pa folë:
100 Dorën gojës Muji i a ká vndue,
Aq mâ tepër djali â pezmatue:
,,Prapou, Mujë, se m’ká ardhë dita e dekës!
,,Rend me rend, Mujo, po flasim!,,
Ka britë t’madhe plaku Basho Jana;
105 S’e kam lânë, or shokë, për mik, pse s’gjeta.
,,S’e kam lânë për pare, pse nuk pata;
,,S’e kam lânë për vashë, pse nu’ mund hasa,
,,Veç s’kam dashtë vetë m’u martue!”
,,Pa ndigjo, more ti djalë!
110 - Ka folë plaku Osman Aga -
,,Ditë e madhe nesër ka qillue;
,,Tridhetë agë kan me u bashkue;
,,Tridhetë vasha t’i kan prû.
,,Njat mâ t’mirën ké me e zgjedhë,
115 ,,Tridhetë agë për hajr t’a bâjmë!,,
S’p’e lên djali plakun mâ me folë:
- Zoti u vraftë, more agët e Jutbinës!
- Po ku â ndie n’mjet tokës e t’qiellës,
- Se muer vllau motrën e vet?
120 - Qi tânë bijat e krahinës, ku janë,
- Tânë si motra qi po m’duken.
- Nji bé t’madhe qi kam bâ,
- Nji bé t’madhe n’êmën t’Zotit,
- Njatij t’Lumit, qi vrân e kthiell,
125 - Rendon tokë e rendon qiell,
- Qi, ja martohem me gúr e dhé,
- Ja e kam marrë Tanushën e krajlit.
- E a ndigjuet, ju agët e Jutbinës:
- Ndêja kuk, si natën e vorrit,
130 - E n’krahinë cok s’u martova!
- Por n’qafë m’paçi, mori bjeshkët e nalta,
- Kurrkû’i shtek qi nuk m’a lát,
- Për me dalun deri n’at krajlí!
- Kjeçë tuj e bâ nji hjeksí t’vogël,
135 - T’mujshe detit me i prî der’ndër qafa,
- Me m’a dêjë krejt atà borë,
- Sall sá t’dal me qitë kunorë, 5
- Qaq fort gazin shokët qi po m’a vndojnë,
- M’a kan ngjitë “taraku i Kotorrit,,
140 - E frima e gjallë s’u lânka peng për log!,,
Sa mirë nâma bjeshkët m’i paska gjue!
Sa shpejt deti djalin ká ndigjue!
E e ká çue nji frimë të fortë,
E e ká çue nji frimë të xetë,
145 E e ká lëshue krejt rên e zezë:
Bín ortiqet nëpër gropa;
Ushtojnë malet, si prej motit.
Por trí dit e mâ s’ká ngjatë,
A shkrî bora e ká rá n’lumë:
150 Por tri javë e mâ s’ká ngjatë,
Shka e ká bâ luma atà t’bardhë?
T’bardhët e bjeshkëve krejt e ká mbytë n’dét
Lum për tý, o i Madhi Zot,
Ç’po këndojnë bylbylat n’mal!
155 Ç’po lodrojnë fmija n’për fushë!
“Shpejt me dalë të tbani 6
“Se ka shpërthye ahi!,,
At-herë djali Muji i ká thânë:
“Qetash gjokun, Mujë, ti me m’a dhânë!
160 Aspak gjokun Muji s’i a ká dhânë.
Gjogut t’vet në shpinë i ká rá,
Edhè â nisë Tanushën për me marrë.
Kúr ká bâ Muji m’u dredhë,
Mirë po i flet nâna e motnueme:
165 “Po ti ç’bâne, more bír,
“Gjokun djalit qi s’i a dhae?
“Rrezik djali me bâ me e pasë,
“E n’krajlí gjâ me t’a gjetë,
“Sá t’jésh gjallë djalit i a kujton!,,
170 Sa shpejt Muji kênka dredhë!
“Ndal, Halil!,, - djalit i ká thânë;
Gjokun e vet Muji i a ká dhânë:
E ‘i msim t’mirë qi i a ká dhânë:
“Udha e mbarë të kjoftë tash, more vllá!
175 “N’megje t’krajlíve kur t’bâjsh për me dalë;
“Kurrkund kryet gjogut mos me i a ndalë;
“Gjogu t’çon te Vuk-e Harambashi;
“Probatin Vukën vetë e kam pasë:
“Falë me shndet Muji, thuej t’ká çue;
180 “Për nji punë, ti vlláth, sot me m’ndimue,
“Me m’ndimue me grosh e me shpatë,
“Me m’ndimue Tanushën për me e marrë!,,
At-herë djali i ká kcye gjogut n’shpinë;
“T’mirë u pashim!,, - Mujit i ká thânë;
185 Ká marrë dromin për krajlí,
Dý herë djalin kurrkush s’e ká pá.
Kalojnë male e kalojnë lugje,
Kalojnë breshtë e kalojnë ashtë,
Kalojnë dit e kalojnë net,
190 N’rob të Zotit kurrkund s’hasin.
Po thotë dielli: â ndorja e ême!
Ká thânë hâna: â ndorja e ême!
Kan thánë orët: â ndorja e jonë.
Zot! A flet dhija në mal?
195 Paska folë dhija në mal!
Ça ká qitun e ká thânë?
“Sa t’bâjë dritë ka ndoren dielli,
“T’errmën natë, ká ndoren hâna,
“Armët e brêzit i a rue zâna!,,
200 Fort Halili m’âsht frigue:
“Ç’âsht ky zâ, Zot, nëpër çeta?
“P’a thue flasin dhít e malit?,,
- Mos gabo, se s’jém dhí malit,
- Se na jém tri dhí prej shkamit
205 - Qi rrijmë bashkë me zâna!,,
Sa mirë djali u ká përgjegjë:
“Mirë p’e di se â logu i zânave,
“E fjalës s’uej un nuk i luej!
“Syni i jem me ndore t’diellit,
210 “Kâmba e ême ndorja e hanës,
“Erzi i armve ndorja e zânës,
“Deka e ême me orë çue!,,
Kúr ká dalë n’bjeshkën mâ t’naltën,
Na e ká pá ‘i lum t’gjânë e t’gjatë:
215 I gjatë ishte dét e n’dét,
Andej lumet veç e lpé.
Ká bâ gjokut me i dhânë uj,
Tre pash gjoku â dredhë përmbrapa;
Páka ‘i njeri për buzë shkami:
220 Sa mirë ora p’e pëvetë:
“Kah jé nisë, djaló, me shkue?,,
Ndêjshëm djali fort qi po i përgjegjë:
“Për krajlí ‘i herë jam drejtue,
“Der’tu Vuku i Harambashit!,,
225 Fort ka qeshë ajo ora e malit!
Kërkund djali s’po kujtohet,
Ç’âsht aj njeri, qi po i flet.
Sa mirë ora e paska msue!
“Pa mba vesh, 7or djal i rí!
230 “P’e dí mirë, pse kha 8 jé dalë,
“Se t’kam pá ndër Lugje t’verdha,
“Se t’kam dashtë si syt e ballit,
“T’kam ruejtë natën, t’kam ruejtë ditën;
“M’ké pasë hije për mbas trupit.
235 “Aty Vukën ti s’e gjê’;
“Aj kah mot â dyndë krajlijet;
“Por avitu ‘i herë prej mejet!
“A p’e shef qat lumë te gjânë?
“Atje i thonë “Te-Lumi-i-Tunës,,.9
240 “Ndale synin n’at breg lumit!
“Merr teposhtën der’tu hijet!
“A po i shef do çadra t’bardha?
“N’mjedis t’tyne ‘i shatorr t’kuq?
“Frênin gjokut mos m’i a ndalë,
245 ,,Fíll t’ka çue te e bija e krajlit!,,
Ora â shdukë e hupë në mal;
Djali â shdukë e ra në fushë;
A’ varë dielli me pranue;
Qat-herë dita m’konka errë.
250 Lum për ty, o i lumi Zot,
Ké falë ditën me pûnue,
Ké falë natën me pushue!
“Ça ka hâna, qi s’po del?,,
Kan pëvetë bylbylat malit.
255 “Pritni pak, more zo’jt e malit!
“Ju me kndue, tjetër punë s’keni;
“Hâna sande ká ndollë xânë,
“Ká nji ndore me përcjellë!,,
Ka përgjegjë dhija në shkam.
260 Qatë-herë sa kish’ rá n’ breg t’lumit;
Ká lidhë gjokun mbrendë n’nji imshtë,10
Imshta ishte tânë ahishtë,
Vetë shatorret n’ për muzg t’natës po i lypë,
Kur ká mrrijtë te çadra e kuqe,
265 Qat-herë djali por ká ngulë,
Ka xânë vend përmbas nji lisit;
Rrâjët e lisit shpërdá n’lumë.
Sa fort djali po mërzitet,
Ça ká qitun e ká thânë?
270 “Po si s’erdh kurr kjo mjesnatë!,,
Kúr ká falë Zotyn mjesnatën,
Sa urtisht djali qi p’e msŷn!
M’a ka xjerrë thikën mâ t’preftën,
Kâmba-doras âsht avitë,
275 Edhé e pritka nji copë shatorr.
Ka bâ dorë mbrendë me shtî,
Aty djali ka gabue,
Se aty dora ndeshë n’ball t’njerit;
Njeri ishte e bija e krajlit.
280 Ka lshue vasha nji brimë t’keqe
Edhé ndêjë a çue prej trêmet.
Treqind çika p’r ‘i fjalë jânë mbledhë:
“Ç’kje kjo brimë?,, - Tanushës po i thonë –
“Qi kso vigme kurr s’ké bâ?,,
285 Sa butë vasha u ká përgjegjun çikavet!
“Shkoni e bini, mori shoqe!
“Si lugat dishka m’u shtî,
“E prej trêmet gjumi m’duel!,,
Me ‘i herë çikat kênkan shkepë;
290 Me ‘i herë vasha â ulë me rá,
E ‘i unazë n’tokë rrotullohet:
Shpejt e çon Tanusha toket.
Kúr ka pá ftyrën e djalit:
- Po ket ftyrë, Zot, ku e kam pá,
295 - Qi po m’giet 11 me t’Halilit?!”
Tjetër djali s’âsht durue:
,,Zoti t’vraftë! – Tanushës po i thotë: -
Po a jé nieri qi ké besë?”
- T’thashin krahët, more djalë i rí!
300 - Se fort féll qi paske hî,
- Treqind shpirtna n’trup me i pasë,
- Kurrnjâ drita s’t’a ká xânë.
- Hajde mbrendë, kopil! – po i thotë:
- Se ja desim t’dy për nji herë,
305 - Ja kém pshtue t’dy për nji herë.
Sa mirë djali nuk po ngutet!
,,Ndal nji herë!” – çikës i ká thânë.
E t’m’ka xjerrë shpatën prej millit;
Ka xânë pritën n’shtek t’shatorrit;
310 Ka lshue synin rreth oborrit;
Rob i gjallë asajt nuk shifet;
At-herë djali mrendë ká hî.
E ka marrë vasha për doret,
Shpejt e shpejt te ‘i odë i prîn.
315 Oda ishte mbushë me pajë.
Tu’i kan zgiedhë ‘i parë petka ma t’mirat,
T’gjith ngrî n’ari si ko’kan kânë,
E Halilit para i a ká shtrue:
,,Çou, Halil, shpejto m’u veshë!
320 ,,Se me t’xânë drita qyshë jé,
,,T’dyvet krajli veç na pret!”
Krejt si çikë djali po dán.
Ka nisë drita me lbardhë terrin:
Mârrtas dielli kênka çue.
325 Zot, ç’po bâjnë çikat e krajlit,
Qi kaq heret kênkan çue?
Po ngarkojnë lesh sa kû munden,
Për me rá deri n’at lumë:
Po shpërdahen gurve t’lumit,
330 Gurve t’lumit, kah po lajnë,
Herë po lajnë herë po këndojnë.
Del Tanusha n’at breg lumit
Vetë e dyta gisht për gisht;
Vênd po xân te gurt e lumit
335 Kan qitë çikat e e kan pvetë:
,,Amanet, mori e bukra e dheut,
,,Po kjo vashë n’dorë qysh t’ka rá,
,,Qi né pahin krejt na paska marrë?!
,,Syni i saj, si syni i zânës;
340 ,,Balli i saj, si balli i hânës;
,,Shtati i saj, porsi hala n’bjeshkë:
,,Kurrkund shoqen nën ket diell s’e paska!”
- Zoti u vraftë, mori treqind çika!
- Gjâ e pa shoqe s’âsht n’ket jetë.
345 - Fukaré, e mjera ka qillue;
- E ka xânë pasha i Dumlikës,
- Por kjo pajë s’ka ku me marrë:
- Baba dekë e kalbë nën dhé,
- Nâna mbetë rrugash mbi dhé,
350 - I a ka msy kullën tatës krajl,
- A s’â send ndo ‘i pare me i a falë.
- Por ju lani, u pastë Tanusha,
- Lani lesh e mos u tallni! -
Askurrnja mâ s’po e pëvetë,
355 Por po lajnë lesh gurve t’lumit,
Kush po lán e kush po kján prej dhimet.
* *
*
Lum për tý, o i lumi Zot,
Se ç’do t’bâjnë krajlica n’at Kotorr?
‘I ândërr t’vshtir e paska pa:
360 Páka n’ândërr nji tufë berresh,
- Tufa ishte treqind delesh -
N’mjedis t’tufës nji uk të zí:
Uk i zí si ‘i dash galan.
Trêmshem grûeja konka çue!
365 Fíll tu krâjli konka shkue:
,,Çou, bre krajl, tý Zoti t’vraftë!
,,Se nji çikë Zoti t’ka falë,
,,Tjetër djalë n’votër nuk ké,
,,E qe ‘i motmot me sy nuk e ké pá.
370 ,,Hypi gjokut, kû t’jét mâ i shpejti,
,,Se ‘i andër t’vshtirë sonte kam pá...,,
- Hajre kjoftë! – i britka krajli.
,,Se ishte çue nji uk Jutbinet,”
,,E treqind çikat i kish përdá”
375 Me ‘i herë krajli âsht mërthye;
Mirë e shtërngon dorín e mejdanit;
Mirë shtërngohet me hekurat e shtatit;
Ká marrë rrugën, qi çon te bregu i Tunës.
Treqind çika qi po i njehë,
380 Nji mâ tepër qi po i del,
Ajo mâ e bukura qi m’ishte ndër shoqe.
,,Oj Tanushë, lum baba!” i ka thânë:
,,Po kjo çikë n’dorë kah t’ká rá,
,,Qi n’dynjé shoqen s’e paska!?”
385 - Fukaré, e ngrata ka qillue,
- Tata dekë, e nâna mbetë rrugash,
- E ká xânë Pasha i Dulmikës.
- E pá pajë, qyqja ká ndodhë,
- Fíll ká ardhë e ká msy tý,
390 - A s’â send ndo ‘i pare me i a falë! -
Sá mirë krajli âsht pshtjellue:
,,Tash po nisna për Kotorre t’reja,
,,Ti me vedi çikën ké me e marrë!”
Ka dhânë êmër krajli me bujrí,
395 Treqind çikat me u shtërngue!
Shpejt meqaret i kan ngarkue;
Për Kotorr tek janë fillue;
Asht Tanusha n’t’mramin rresht
Me Halilin gisht për gisht:
400 Djali m’gjok – vasha n’dorí.
Mirë ushtrija qi po i rue.
Kërkund giasë s’po i shofin për me hikun
Mbas trí ditsh e mbas trí netsh
A kapë çeta te Kotorret e reja,
405 Treqind çika jânë shkepë ndër koniqe;
E ká zgjedhë Tanusha ‘i kullë mâ t’mirën,
N’breg të detit, përmbí ‘i shkam,
Dymdhetë ketesh kulla e naltë,
Kërkund shoqen nuk e kishte.
410 Treqind hapash kulla e gjânë,
Të tana ballet guri s’lmue,
Anash krejt guri s’latue,
Latue shkami prej mermerit.
Aty gurrat me u flladitë,
415 Aty kopshti me u mahitë,
Aty velat me velzue,
Me velzue për shpinë të detit.
Kur po hîn njeri n’at kullë,
Me kujtue se ká ndrrue jetë.
420 Me Halilin mrêndë kan hî.
Paskan ndêjë trí dit e net,
As kan hângër, as kan pí;
,,Qysh i a bâjmë me kthye n’Jutbinë?”
Sa mirë vasha âsht kujtue!
425 ,,Me i dhânë gjokut shpîn’n e detit;
,,Na po hîm m’nji barkë me rrêma;
,,Na po hîm m’nji barkë me vela;
,,Ti vozit, un drejto velat!
,,Na çon Zoti ‘i freskí t’hollë;
430 ,,Na i shtŷn velat për krahinë,
,,Aty n’breg gjoku na pret;
,,Se un drue nânës me i kallxue!,,
I kan dhânë gjokut shpînën e detit.
Por ç’ka bâ Shkina e Kotorrit?
435 Kish pá gjokun mjedis valës s’detit;
Fíll te krajli kenka shkue:
Zoti t’vraftë!” – krajlit i ka thânë:
,,Tash trí dit çika n’Kotorr â ardhë,
,,E as un as ti me sy s’e kemi pá!?
440 - Hajt sa t’duesh, për n’daç me e pá,
- Se mue ngaëja kurkund sot s’m’a qet!-
Se fort shpejt krajlica gadi â bâ?
E ka marrë rrugën e bregut t’detit,
Për me shkue te kulla e bukur;
445 Aty m’gjêka kullën xânë.
Sa mirë zânin, Shkina, e ka t-hollue!
,,Oj Tanushë, lum nâna!” – m’i ka thirrë:
,,Çilma derën ‘i herë synin t’a shof,
,,Se malli i yt â kah m’çon n’tjetër jetë!
450 A dridhë çika për mbas deret:
,,Po si m’thue, Halil, me bâ?
Çilja derën, n’bafti t’Zotit! –
Kurkund zêmra s’i bân me shdrŷ derën,
Sa shpejt n’mend i ra çikës edhé ‘i fjalë!
455 ,,Pa ndigjo, lum nâna! – i thotë:
,,Po qysh t’dal, e mjera, derën me t’a çilë,
,,Me ket dergjë, qi shtatin m’a ka kputë!”
- Hajt, moj bí, lum nâna!” – i thotë:
- Vetë, t’pastë lokja, e ré qi kam kânë,
460 - E q’aso dergje shumë herë qi m’ká rá:
- Por po t’ap besën e Zotit,
- Se tŷ dergjen nâna t’a ká shndoshë;
- Por çilm deren e mos m’lên me pritë,
- Se ti nânën nanë ké për t’a pasë! –
465 A rrêjtë bija e zêmra hiç s’po e rrê;
N’bahti t’Zotit tek ká rá për shkallësh,
Aspak pênin doret s’e ká hjekun;
Aspak velin m’ânesh s’e ká tretun,
Edhe derën nânës i a paska çilun.
470 Po; por nâna s’ish’ kênë nânë:
Ish’ kênë bishë qi hate drangujt.
Kúr ká pá Shkina Sokol Halilin,
A dredhë mrapësht, si dredhet gjarpni:
“Zoti t’vraftë, moj bí, si t’paska vrá!
475 “P’a 12 me cuba kullen e ké mbushë?
Edhè derën e ká shkrepë,
Fíll tu krajli tek â shkue:
“Ke mbarue, krajl kapedane!
“T’kan ardhë cubat e Jutbinës,
480 “E tý kullat t’i kan zaptue,
“Erzin marrë, çikat shnjerzue!
- T’u thaftë goja! Ç’jé kah thue? -
Ka britë t’madhe Shkjau i Kotorrit,
Edhè ftyra zjarm i paska marrun.
485 Shpejt konka shterngue,
E e rrethueka krejt bregun e detit;
E e ka msye kullën e shkamit,
- Hiç s’po i nepet djalit me qindrue -
T’dy për krahit krajlit i ká kapun:
490 “Si m’shnjerzove kshtû, Tanushë, mjerë baba!
“Qysh me ndêjë me cuba të Jutbinës?,,
N’burgje t’fella Halil’n e ká ndrý,
Rrugën e madhe Tanushës i a ka dhânë:
“Qetash udha e marë t’kjoftë, mori bí!
495 “Se kto jânë rrugat, qi ké dashtë me marrë!
“E ruej se e msy tjetër derën e shpís;
“Se babës e vedit i a ké mbyllë me ferrë!,,
Qat-herë vajin ka marrë çika e rrugën;
Ka marrë gjâmën e fort po gjâmon,
500 Krejt e mjeron rrugën, kah po shkon.
Kan dalë gjindja me veshtrue ata vaj,
As me i u avitë kurrkush nuk po guxon;
Kaq rojë t’madhe krajli i kishte vû.
Kur ká mrrijtë te Kryet e Kotorrit
505 Mirë p’e ndalë Jovani e p’e pvetë.
“Ç’â kta vaj, Tanushë, lum motra! i thotë:
“Se kso britmet kurr nuk kemi ndî!
“Ktheu nji-herë e t’hîm mrenda në shpi!
“Ty dishká po deshtka sot me t’gjetë!”
510 ”S’ke pse m’ton, Jovan, për me dredhue!
“Rob kan xânë Halilin e Mujit,
“E mue rrugat tata m’i ka dhanë,
“Mâ për t’gjallë te shpija mos me kthye!,,
-Po ty, bi, hjeksin kush t’a ka bâ?-
515 “Ah mos pritsha, Jovan, me kanë!
“Nâna qi m’paditi.
“Por amanet, Jovan, t’a paça lânë,
“Nji fjalë Mujit tu dera me i a çue:
“Qi me i rá mbrapa Halilit sa mâ parë,
520 “Ndryshej djali n’burgje t’u ká kalbë!,,
Mirë Jovani e ká drejtue:
- Une Mujit shtek as gjurmë s’i dí
- Por e ká ksajt nji bij krahinet,
- E ká kullën shi në krye t’Kotorrit,
525 - Derën e ré, t’ndreqme sivjet. -
Fill tu dera Jovanit e ká përcjellë,
E tu dera gruen e paskan hasë,
Kah po kthete me bulirë prej kronit.
,,Shka t’ká gjetë, Tanushë – motra?”-
530 Mue m’ká gjetë shka mos t’gjetët kushi:
- Tata rrugat m’i ka dhânë;
- Derën e shpís mâ mos me e msye,
- Rob m’kan xânë at Halilin e Mujit;
- Tutem, djali ká sharrue,
535 - Po s’erdh Muji për me e pshtue. –
Grue prej fisit qi kish’ kânë.
Sá me ‘i herë i a shndosha zêmrën:
,,Qi n’kjoftë Muji i gjallë e për të gjallë,
,,Sot trí dit t’ka prî me qitë kunorë.”
540 E ká gjetë nji njeri beset;
Me ‘i herë Mujit natën i a ká nisun;
N’nesret nadje djali â kapë tu kulla;
Nji kah nji krejt punët i a kallxon Mujit.
T’madhe burri paska nisë me qeshë:
545 ,,A t’kam thânë, Taraku i Kotorrit,
,,Se Kotorret kan me t’a hângër kryet!
,,Mos me m’ardhë marrja e Jutbinës,
,,Tybe n’Zotin kâmbën nuk e luejta!”
A dalë trimi në bedên t’kullës,
550 Me ‘i kushtrim ká thirrë Jutbinë e krahinë:
,,Për nji punë, qi sot ká ndodhë.
,,Kushtrim, djalë, për me çetue!”
Me ‘i herë trimat kênkan mbledhë.
,,Hajre, Mujë!” Kan qitë agët e kan thânë.
555 ,,S’kam shka u thom, more agët e mij,
,,Veç m’koriti Sokol-e Halili!
,,E kan xânë mbrendë në Kotorre t’reja,
,,Qi tybe n’Zotin mbrapa n’i bie, 13
,,Mos me m’ardhë marrja e Jutbinës!
560 “Me u shtërngue, burra, si t’mundi,
“Se dita e dekës mâ e vshtirë ndryshej nuk vjen!
Treqind agët mirë janë shtërngue;
Kan bâ ashtat trimat me ushtue,
Kan bâ lumet trimat m’u turbllue,
565 Kan bâ gjogat trimat me flurue,
E t’janë kapë te Kotorret e reja.
N’shevarinë t’detit kúr kan rá,
N’për rânë t’detit Muji i ka shpërda:
,,Ver me gojë mos guxo kush me bâ!
570 Sá mirë agët jânë mshehë e t’gjithë pá zá po rriijnë.
* * *
Të lumët na për Zotin t’Lumin,
Se shum njeri kênka mbledhë
Ndër ato Kotorre t’reja!
Me kushtrim krajli i ká thirrë;
575 Tânë Kotorri tu kisha janë rá
Ditë e dielle si m’kish qillue,
N’mjedis t’logut nji djalë i rí,
Hekrat duersh, bugagít kâmbësh,
Aj âsht Halil aga i zí,
580 Mbarë Kotorret me ta qi po qeshen.
Mbet e i foli krajle kapedani:
“A p’e shef, Halil, dekën me sy?
“Kurr mâ ngusht, Halil, a thue jé kânë?
- Se kuvend burrash djali paska shtrue:
585 - Pa nigjo, more krajle kapedane!
- S’â ngusht njeri deri n’ditë të dekës:
- Deka vjen mbas mikut t’pré,
- Deka vjen mbas besës s’thyeme,
- A ‘i kue 14 bukë mos t’késh për mik.
590 - Sá mâ ngusht, krajli, qi ka kânë,
- Q’aq mâ lirë Zoti m’a ká bâ!,,
“Fjal’n e mbrame, n’e paç, për me folë,
“Se ty jeta m’njat hû t’u ká sosë!,,
- Zoti t’vraftë, bre krajle kapedani!
595 - Se Zoti e di, për kâ e ké ngulë at hû!
- Pesë dekika lirí për me m’dhânë!
- Tjetër t’mirë né t’parët nu’na kan lânë,
- Kurrnja nesh veç mos me dekë në t’shtrueme;
- Por me shpata m’u pré tuj këndue. -
600 Sa burrnisht krajli e ka çue! 15
“Gjith sa t’duesh, Halil, me kndue!
Edhe duert mirë i a shpengojnë,
I a kan dhanë lahutën n’dorë;
Kurkush djalin vesht s’und e ká marrë,
605 Krejt p’e kndon kângën n’gjuhë të parve; 16
“E kshtu drita e mbrame m’paska ardhun-ó!
“Dielli xânë e majet xânë!
“Ku e lát ndoren, more diell?
“Ku e ké ndoren, mori zânë?
610 “P’a kjo â besa, qi m’patët dhânë?
“A po m’gjegjesh, more diell?
“Pásh njat dritë, qi t’flakron n’báll,
“Amanet t’a paça lânë,
“Amanet për t’mramën herë!
615 “Kërkoe bjeshkën krep e m’krep!
“Kërkoi mrizet gjithku janë!
“Ndezi ashtat anë e m’anë!
“Zirjau gjumin orve n’mal!
“Zânës s’madhe falë me shndet!
620 “Thuej: Halili qetash mbet!
Ka flurue nji zog prej malit;
U ndal zogu n’degë të nji ahit:
,,Amanet, more zogu i malit,
,,A ké flatra me flutrue?
625 ,,Pásh njat degë, ku rri pushue,
,,Falë me shndet Gjeto Basho Mujit!
,,E ate gjumi n’e pastë xânë,
,,Kurr kryet shndosh-o mos e çoftë!
,,Për n’kjoftë bjeshkve kah çeton,
630 ,,Kurr te shpija shndosh mos voftë!
,,E për n’kjoftë kund ksajt tuj ndî,
,,Kurr mâ ngusht vedin s’e dí!”
Qaty Muji për fushë â dalë,
E e ká bâ nji piskamë t’madhe,
635 Janë shêmbë kullat der’n’themele!
E t’â trandun deti me hî mbrendë,
Kan gjimue malet, si për mot t’lig:
Kurrnja trimat nuk p’e lânë me hikë.
Luftë e rrebtë aty qi po bâhet,
640 Me dhâmbë trimat duen shoshojnë me shkye;
Me dhambë gjogat duen shoshojnë me marrë;
Notojnë kurmat 17 fèll në dét;
Notojnë trupat nëpër gjak;
Hiç s’po lodhet Gjeto Basho Muji:
645 Sa féll trimi m’paska hî!
,,Ruej, bre Mujë, se krajlin po m’a çartë!,,
Fort ka britun Sokole Halili:
,,Zgjidhmi kush prângat prej dore!
,,Se kam bâ bé n’t’Lumin Zot,
650 ,,Qeky hû shpirtin me i a marrë!
Muji djalin e ka shpengue.
A turrë djali si i tërbue,
Gjallë me dorë krajlin ká xânë:
Me shpinë n’hû ditt i mbaroi.
655 Qat-herë burrat kan rrokë ûnat;
Shpejt gjyteti ka marrë zjarr,
Ka marrë zjarr krejt n’fund e n’maje.
Sa fort Muji m âsht tërbue!
Aspak dhimbë trimi s’po ká,
660 As për kulla, qi rrênohen,
As për t’dekun, qi shkrumbohen,
As për fmij mbrendë kah po digjen.
Trí herë dielli ká pranue,
Trí herë hâna ka ague,
665 Kërkund zjarmi me pushue.
Kur ká bâ trimi me dredhë,
Kênka sjellë prej Kotorresh t’reja:
"A po ndieni, mori troje të rrênueme?
"Drumi i juej për tokë e dét.
670 Kushdo t’pvesë për tokë e dét:
,,Po pse krajli u ká lânë shkret?
“Trathtoi bín, thoni, nâna e vet!
,,Ka xjerrë Muji vllán e vet!
"Muer Halili i vashë mbetë shkret!"
________________________________________
1 Ortek-u = grumbull bore, qi tue u shkëputë prej malit shkon tue u smadhue gjithnji mâ tepër; 2) mˆpërpapa; 3) pjalm.
2 Mosha;
3 Ditkeni.
4 Me përendue
5 Me u martue
6 Banesa
7 Ndigjo;
8 Këndej
9 Mjaft e solla me të pvetuna diftuesin e kësajë rapsodije – nji plak prej Currajsh, nji farë Mirash Gjonit – me më kallxue, se kah vijte ky lum, por kot; pse, si për Kotorret e reja, Dumlikë etj. ksi êmnash topografikë, më thotë: «Kshtu e dijmë prej të parësh, se â kânë lum n’krajli kohës s’Mujit, andej kah fushat e Bosnjes.» Kso doret më përzite i ilirasi i shkretë, qi s’kishte tjetër gjurmë të kulturës moderne në trup të vet jashtë kmishet e pushket, kohën e dyndjeve të vllaznive ilirjanë me përhapjen e Slavve e të Turqve;
10 Pýll me lisa të vogjël.
11 Po më duket e ngjáshme ...
12 Po a.
13 Në i rafsha mbrapa.
14 Nji kafshatë bukë.
15 Ështe sjellë me tê.
16 Të të parëve.
17 Pjesë të coptuara trupi.

Nga libri: Dr. Zymer Neziri, «Këngë të kreshnikëve»
---------
• TITUJ TË NGJASHËM
[ Kultura ] Dibër, o fortesa e lirisë (këngë) (2008-12-03 05:34:13 nga admin4)
[ Kultura ] Dr. Zymer Neziri: «Këngë të kreshnikëve» (2008-11-22 08:35:46 nga admin4)
[ Kultura ] Kur këndonte Sulejman Borova edhe bilbilat pushojnë këngën! (2008-10-31 13:22:17 nga admin4)
[ Opinione ] NJË KËNGË E VJETËR QYTETARE DHE GJYSMAKET TONA HISTORIKE (2008-10-29 16:55:27 nga admin1)
[ Kultura ] TË PËRKUJTOJMË VETERANIN E KËNGËS SHQIPE - QAMILI I VOGËL (2008-09-12 08:50:11 nga admin4)
[ Kultura ] TË KTHEHEMI ATY KU E KEMI LËNË KËNGËN ORIGJINALE SHQIPE (2008-08-13 14:13:04 nga admin1)
[ Kultura ] VAÇE ZELA - YLL I KËNGËS SHQIPTARE (2008-04-07 10:07:59 nga admin4)
[ Kultura ] Bjork krijon kengen “Shpallni Pavaresine” per Kosoven (2008-03-04 04:30:37 nga admin4)
[ Intervista ] Maya (Fatbardha Aliçkaj) - këngëtarja që po tronditë skenat shqiptare (2007-07-15 16:32:36 nga admin4)
[ Lajmet kryesore ] HIMNI I ARDHSHËM, NJË KËNGË ZIE PËR KOSOVËN?! (2007-04-29 12:44:30 nga admin1)
[ Opinione ] Nuk janë fajtorë “këngëtarët” grekë, por Greqia “demokratike evropiane” dhe politika e korruptuar dhe e defaktorizuar e Shqipërisë në Ballkan (2007-03-08 01:10:50 nga admin4)
«  Kthehu prapa
Copyright © 2000-2013 DERVINA.COM - Të gjitha të drejtat e rezervuara
Arkivi u punua nga A.Nushi - Webmaster